Historia e Profetit Ismail A.S

Historia e Profetit Ismail A.S

Ismaili a.s. ishte djali i parë i profetit Ibrahim a.s. Ai lindi në Palestinë në një familje të lartë, por një familje që kishte kaluar shumë sprova të vështira. Me lindjen e tij, familjes së Ibrahimit a.s i shtohet edhe sprova e hixhretit drejt një vendi të shkretë dhe të pabanueshëm. Allahu urdhëroi Ibrahimin a.s që gruan bashkë me djalin e vetëm, të sapo lindur, ti dërgonte drejt shkretëtirës në qytetin e sotëm të Mekes, në Arabinë Saudite.

Kështu gruaja e tij Haxheri bashkë me Ismailin e vogël ishin të parët njerëz që pas qindra vitesh filluan të banonin në mes të shkretëtirës së thatë. Por, bindja e tyre e fortë ndaj zbatimit të urdhërit të Zotit edhe pse ishte shumë i vështirë, bëri që Allahu ti gëzoi ata dhe të sjelli jetën në mes të shkretëtirës. Nën këmbët e foshnjes Ismail, filloi të buronte uji Zemzem.

Burim për të cilin profeti ynë i dashur thotë se “Zoti e mëshiroi nënën e Ismailit. Nëse nuk do kishte nxituar duke e ndaluar me dorë, burimi i zemzemit do të vërshonte si lum”

Ndërkohë Ibrahimi a.s vinte shpesh nga Palestina dhe e vizitonte Haxherin bashke me djalin e tij. Një ditë shikon një ëndërr sikur duhej të bënte kurban djalin e tij. Pasi e kupton që ishte një sprovë tjetër nga Zoti për atë dhe familjen e tij, e merr djalin dhe i thotë: “O djali im, unë kam parë në ëndërr që të të pres ty. Çka mendon?” Ai tha: “O babai im, veproje atë që të është urdhëruar, inshallah mua do të më gjesh prej të durueshmëve!” (Safat 102)

Kjo ishte përgjigja e një fëmije të mbarë i cili ishte rritur me këshillat e një babai profet dhë një nëne të devotshme, që i dorëzohej totalisht urdhërit hyjnor ashtu si prindërit e tij dikur.

Ky ishte Ismaili a.s, i cili edhe pse në moshë të vogël, i bëhet shembull të gjithë të rinjve se si duhet t’i bindesh urdhërit hyjnor edhe nëse në fund qëndron vdekja. Pasi Allahu e pa bindjen e tyre, u dërgoi një dash nga qielli si mrekulli për t’i përgëzuar ndaj sprovës që kishin kaluar me sukses. Kurban ky që  sot duhet të na kujtojë bindjen e këtyre dy profetëve të mëdhenj që i treguan vullnetit hyjnor.

Më pas Ismaili a.s martohet dhe fillon një jetë familjare normale ku shpesh herë i vinte për vizitë edhe babai. Në një nga këto vizitat e rradhës ku tashmë Ibrahimi ishte shumë i vjetër në moshë, merr urdhër nga Zotit që të rindërtoi edhe një herë Qaben e Madhërueshme në themelet që kishte ndërtuar babai i njerëzimit, Ademi a.s.

Ibrahimi a.s, profet i cili që në moshë të re kishte filluar përpjekjet kundër idhujtarisë dhe statujave të tyre, tashmë Zoti e kishte urdhëruar që të rindërtoi Qaben, pikën referuese që njerëzimi të praktikonte besimin e pastër monoteist deri në kijamet.

Të gjithë gurët që u ndërtua Qabeja kanë kaluar nëpër duart e Ismailit a.s i cili i transportonte duke ja dhënë babait të ndërtoi muret. Menjëherë pas ndërtimit të saj, haxhi ju bë farz besimtarëve të asaj kohe.

Adhurim ky që e risjell edhe profeti ynë i dashur pas idhujtarisë që kishte rënë njerëzimi përgjatë një fare kohe.

Pas vdekjes së babait ai u bë profet për popullin e Mekes, popujt e tjerë rrëth saj dhe popullin e Jemenit.

Si çdo profet tjetër edhe ai i ftoi njerëzit të adhuronin vetëm Allahun e Madhëruar.

Thotë Zoti në Kuran: “Ai urdhëronte popullin e vet me faljen e namazit dhe me zekatin dhe Zoti ishte i kënaqur prej tij” (Merjem 55) pa çka se një pjesë i besuan e një pjesë jo.

Pasi arriti në moshë të thyer dhe kuptoi se po i afrohej vdekja, nga Jemeni shkon në Palestinë dhe viziton varrin e babait. Më pas shkon në Sham për të vizituar vëllain e tij Is’hakun a.s i cili po ashtu ishte profet i Zotit për atë popull.

Pastaj kthehet në Mekë, bën haxhin e fundit dhe ndërron jetë në atë vend të bekuar.

Trashëgimia që ka lënë për ne sot profeti Ismail a.s është:

  1. Uji i zemzemit i cili buroi nën këmbët e tij.
  2. Shtëpia e Zotit, Qabja e Madhnueshme që u ndërtua me gurët që ai mlodhi.
  3. Adhurimi i Haxhit, i cili ju bë obligim pas ndërtimit të Qabes.
  4. Dhe mbi të gjitha, profeti ynë i dashur, Muhamed a.s është pasardhës i tij.

 

Allahu na mundësoftë besim të pastër, bindje të fortë dhe dorëzim total ndaj urdhërit hyjnor ashtu si profeti Ismail a.s.

(Taulant Bica)

Cili është reagimi juaj?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow